Shkruan Avni Selmani
Pas një maratone politike që zgjati gati dy vite, më në fund kemi Presidenten dhe institucionet. Mirë u bë, sepse vendi kishte nevojë të dilte nga bllokimi. Por mbeten shumë pyetje dhe shumë “pse” që duhen thënë.
Pse u humb kaq shumë kohë? Pengesë ishin parimet apo llogaritë për poste dhe pushtet? Kush jep llogari për bllokimin, pasigurinë dhe lodhjen e qytetarëve?
Në fund, votat për Presidenten u lidhën me ndryshimet e ligjit për Specialen. Pse një çështje e drejtësisë duhej të bëhej kusht për zgjedhjen e kreut të shtetit? Nëse të dyja ishin të domosdoshme, pse nuk u zgjidhën veçmas, pa e kushtëzuar njërën me tjetrën? Nëse ndryshimet ishin të nevojshme, pse duhej të prisnin marrëveshjen për Presidencën?
Kompromisi është pjesë e demokracisë. Por ku mbaron kompromisi dhe ku fillon shantazhi politik? Dalja nga bllokimi ishte e domosdoshme, por publiku duhet ta dijë çka kërkoi, çka lëshoi dhe çka mori secila palë. Çka u tha para marrëveshjes dhe çka u pranua në fund?
Ku mbetën parimet, sidomos te kryeministri? Kërkohej një President unifikues dhe jo partiak. A nuk ishte ky parim një nga arsyet që nuk arrihej marrëveshja dhe shkonim përsëri në zgjedhje? Si pajtohet kjo me pranimin e një kandidateje me të kaluar të theksuar partiake? Çka ndryshoi në orët e fundit para se të kalonte afati? A vlejti i njëjti kriter edhe për kandidatët e mëparshëm?
Po ndryshimet për Specialen, mbi çka u mbështet vendimi? A u pyetën ekspertët juridikë dhe diplomatikë për pasojat që mund t’i sjellin këto ndryshime Kosovës, apo nuk premtoi koha?
A u shqyrtua nëse ndryshimi i ligjit mund të ndikojë negativisht në gjyqin e apelit? A u pyetën ekipet mbrojtëse?
Po pjesa tjetër e opozitës, pse u krijua përshtypja se pothuajse heshti? Çka kundërshtoi dhe çka propozoi? Nuk kishte vërejtje, apo nuk deshi të merrte qëndrim për një çështje kaq të ndjeshme?
E dhimbshme është sa herë kemi marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk arrijmë të kemi unitet e t’i pyesim profesionistët e fushave përkatëse. Pse vendimet i marrin politikanët në krye veti, sikur i dinë të gjitha? Nga Asociacioni deri te Gjykata Speciale, a kemi bërë shumë gabime? Pse zvarritet zbatimi i zotimeve që i kemi marrë përsipër? Pse pasojat bëhen temë debati pasi zotimet janë marrë? Pastaj, kur dalin problemet, kërkojmë të tërhiqemi, sikur zotimi nuk vlen më. Por me marrëveshjet ndërkombëtare nuk ka lojë.
Edhe këtë herë, a u pyetën partnerët ndërkombëtarë? A u shqyrtua mundësia reale e zbatimit dhe a iu shpjeguan publikut pengesat? Çka do të bëjnë institucionet nëse rezultati nuk është ai që po premtohet?
A po mbrohen të drejtat e të akuzuarve dhe të dënuarve, apo shqetësimi për ta po përdoret edhe për të siguruar vota? A po u thuhet qytetarëve çka mund të arrihet realisht, apo emocioni për UÇK-në po e zëvendëson debatin për pasojat?
Çka po u mësojmë partive për të ardhmen? Nëse bllokimi i institucioneve ia siguron një partie kërkesat, pse të mos e bëjë përsëri? A po e zgjidhim një krizë, apo po e bëjmë bllokimin zakon?
Te një pjesë e qytetarëve nuk pamë shqetësim, por e morën si spektakël politik: “A e pe kryeministrin, ua bëri 8 me 2!”, “Ua bëri shah-mat!” Ihaaaa! Tifozllëk i vërtetë.
Po shoqëria civile dhe elita intelektuale, sa kërkuan shpjegime dhe llogari para votimit? Pse nuk ua dëgjuam zërin? Pse të presim që vendimi të merret e pastaj të flasim për pasojat? Po mediat, sa e shqyrtuan vendimin dhe sa u morën me atë se kush fitoi e kush humbi politikisht? Edhe aty u krijua spektakël i vërtetë.
Në fund, çka fitoi Kosova? A u veprua me emocion dhe me ngut për ta kapur afatin, apo për të mirën e vendit? Nëse premtimet nuk realizohen, a do ta marrin përgjegjësinë ata që vendosën, apo pasojat do t’u mbeten përsëri qytetarëve? A.S

